MC Networking

Basha: Njerëzit po marrin borxhe për t’u kuruar nga Covid-19

 Në një konferencë për gazetarët, Basha tha se vala e dytë e pandemisë e gjeti qeverinë të papërgatitur. Për kreun e PD, shumë pacientë nuk marrin shërbimin e nevojshëm mjekësor dhe detyrohen të paguajnë 600 mijë lekë për kurim.

Duke këmbëngulur që qeveria të vërë sa më parë në zbatim planin për rimëkëmbjen ekonomike të propozuar nga PD, kryedemokratik Lulzim Basha deklaroi se shëndetësia është në kolaps total.

“Prej katër javësah i kam vënë në dispozicion planin tonë me pesë pika. I kam kërkuar që shëndetësia në buzë të greminës të mos kalonte në kolaps total. Kam marrë me dhjetëra mesazhe të njerëzve që janë vënë mes dy zjarreve, nga njëra anë spitalet COVID janë me kapacitete të ezauruara apo drejt ezaurimit. Pacientët me COVID tani nuk kanë ku përplasen. Informacionet e fundjavës kanë treguar për të sëmurë me COVID që nuk u është përgjigjur urgjenca apo janë dërguar në spitale të patrajnuara për COVID. Nëse plani ynë me pesë pika do të ishte vënë në veprim do të kishim funksionalë kapacitete të vërteta për t’u përballur me rritjen e rasteve. Do të kishim mundësinë që mjekësia shqiptare të përballonte edhe fluksin e të sëmurëve të tjerë. Numri i testimeve vijon të mbetet më i ulëti në Evropë. Pacienti me simptoma ka pritur për 6 ditë për të bërë tamponin. Pas 6 ditësh është evidentuar se mushkëritë ishin dëmtuar. Njerëzit po marrin borxhe për t’u kuruar. Shumica e kanë të pamundur për të paguar çmimin minimal për kurimin, që është 600 mijë lekë në muaj. Kjo situatë nuk është e re. Qeveria nuk ka marrë asnjë masë, asnjë plan serioz për t’u përballur. Vala e dytë e gjen Edi Ramën dhe kabinetin e tij të papërgatitur".

Po ashtu Basha kujtoi dhe katër hapat e propozuar nga PD që sipas tij duhet të ishin marrë parasysh.

Prej 4 javësh kërkoj të ndërmerren 4 hapa të thjeshtë.  1. Minimumi 2500 testime në ditë. 2. Mbulimi i kostove të paketës së trajtimit të COVID, të merret përsipër nga shteti. 3. Mobilizimi total i sistemit, për t’u përballur me çdo nivel të trajtimit të të sëmurëve.4. Bonusi 1000 € për mjek, 500 € për çdo infermier”, tha Basha.

Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha në këtë konferencë akuzoi kryeministrin Edi Rama se ka vendosur të shpenzojë 1.6 milionë euro për zyrën e tij. Basha tha se shqiptarët po zhyten çdo ditë dhe më shumë në varfëri, ndërsa qeveria po zhytet në luks.

“Kemi humbur 4 javë kohë të çmuar për shkak të papërgjegjshmërisë së qeverisë. Sot sistemi është në kolaps dhe asnjë regji qëndrore nuk e fsheh dot këtë Rënia e konsumit, treguesi më alarmues i varfërisë që po shtrihet në shtëpi. Të gjitha shifrat e rënies ekonomike janç tregues i papunësisë që rritet dita dites. Një qytetar humbi jetën në sytë e të gjithëve, përgjigjja e qeverisë vetëm arrogancë.  Me çfarë do t’i blejnë ilaçet të papunët, të varfrit e shtuar të Shqipërisë? Buxheti 2021, 1.6 milion euro për zyrën e kryeministrit. Në projekt buxhetin e vitit 2021 dua të merrem vetëm me shëndetësinë. Kanë planifikuar vetëm 3.3% të buxhetit ndërkohë që për koncensionet 118 milionë euro. Për ndërtime godinash dhe zyra duke përfshirë për zyrën kryeministrore 38 milionë euro. Fondet për luks zyrash dhe konçesione korruptive, të barabarta me gjysmën e paketës sonë të rimëkëmbjes. Asnjë vend në Europë nuk shpenzon sa Edi Rama për konçesione, 1/10 e gjithë ekonomisë. Asnjë kit testimi nuk është blerë nga qeveria, të gjitha dhuratë nga donatorët", tha Basha. 

  • Comments

0 Comments:

Scroll to Top