MC Networking

Festivali i migracionit, “bashkon” botën në Kalabri (VIDEO)

 “Njerëzimi nuk ka kufij”, kjo është tema e Festivalit të Migracionit të Acquaformosa-s në Itali këtë vit, i cili do të zhvillohet nga 20 deri në 24 gusht 2020.

Acquaformosa është një komunë italiane e provincës së Kozenzës në Kalabri e banuar kryesisht nga arbëreshë.

Janë pesë ditë takimesh, art dhe muzikë, ku veçohet koncerti i Roberto Vecchioni, i planifikuar në 23 gusht, ndërkohë që do të mbahet edhe edicioni i katërt i Çmimit “Acquaformosa që mirëpret”.

Sipas drejtuesve të festivalit gjithçka organizohet në përputhje të plotë me rregulloret anti Covid19.

Në vazhdimësi të edicioneve të mëparshme, festivali do të bëjë bashkë shumë të ftuar, duke vazhduar të tregojë bukurinë e mikpritjes dhe përvojës integruese të arritur në këto 10 vjet në qytetin e Kozencës.

Në vazhdën e temës së edicionit IX, Shoqata “Don Vincenzo Matrangolo” promovon një projekt të rëndësishëm ndërkombëtar për migracionin, një forum i shkëlqyeshëm për takime dhe konfrontime.

“Bëhet fjalë për një forum të përhershëm, që do të bashkojë Italinë dhe Evropën: Është një kënaqësi e madhe. Angazhimi ynë, tashmë i vlerësuar në nivel evropian është i konsoliduar drejt realizimit të këtij momenti, që shënon fillimin e një bashkëpunimi të rëndësishëm”, - komenton Presidenti Giovanni Manoccio.

Festivali, i cili këtë vit do të shohë prezencën e mysafirëve kombëtarë , ndërkombëtarë dhe studiues të shumtë, do të mbahet në gusht, por Manoccio vëren se do të flitet për temën e migracionit gjatë gjithë vitit në momente të ndryshme.

“Do të jetë një histori e shkëlqyeshme që do të bashkojë Italinë dhe Evropën në emër të solidaritetit dhe me vetëdijen se, kurrë si në këtë moment historik, është e nevojshme të bëhen të njohura praktikat e mira të mikpritjes, që nënkuptojnë një pasurim për të gjithë. Fillimi i këtij udhëtimi të ri - përfundon Manoccio - do të jetë në 21 gusht dhe do të jetë guri i parë i këtij udhëtimi të ri, të bukur.”

  • Comments

0 Comments:

Scroll to Top