MC Networking

Hoti iu kërkon qytetarëve të zbatojnë masat antiCovid: Gjendja është e rëndë

Gjatë kësaj jave Kosova ka shënuar rekorde viktimash dhe infeksionesh qëkurse ka nisur pandemia Covid-19. Sistemi shëndetësor po përballet me mungesë kapacitetesh dhe kërkon më tepër personel mjekësor pasi një numër i konsiderueshëm punonjësish janë infektuar me koronavirus.

Kryeministri Avdullah Hoti ka vizituar sot Qëndrën Klinike Universitare dhe deklaroi se gjendja është e rëndë por përballja me pandeminë është mision kombëtar.

 “E di që janë lodhur, tash e gjashtë muaj përballen me këtë situatë. Unë jam sot këtu për të treguar vlerësimin tonë për punën që po bëjnë, për të dëgjuar vlerësimin e tyre për situatën nëpër të cilën po kalojmë, parashikimet për javët dhe muajt e ardhshëm dhe përgatitjet që ne duhet të bëjmë. Unë sot i falëndëroj të gjithë qytetarët që po i respektojnë masat për këtë ditë feste. Duket që apeli që kemi bërë si qeveri, bashkë me të gjitha institucionet dhe aktorët e tjerë të përfshirë në menaxhimin e kësaj situate, ka dhënë efekt. Shpresoj që kjo të vazhdojë dhe njerëzit t’i respektojnë masat dhe të jenë të vetëdijshëm, sepse vetëm kështu mund ta menaxhojmë këtë situatë”, tha Hoti.

Drejtoresha e Klinikës Infektive, Lindita Berisha-Ajazaj, raportoi për gjendjen e pacientëve me COVID-19 në këtë klinikë.

“I kemi diskutuar të gjitha mundësitë sfidat me të cilat ballafaqohet stafi i Klinikës Infektive. Gjatë këtyre gjashtë muajve të cilët i garantuam që ne si Infektologë do të vazhdojmë edhe më tej punën. Gjendja e pacientëve të cilët po vijnë nga tereni janë në gjendje me manifestime klinike të rënda ku në disa raste edhe përkundër përpjekeve tona me terapi intenzive për fat të keq po përfundojmë me fatalitet. Prandaj i lus të gjithë qytetarët që ndihëm më të madhe na japin lidhur me respektimin e masave nga IKSHPK”, shtoi Ajazaj.

Në Kosovë, numri i përgjithshëm i të infektuarve me koronavirus i ka kaluar 8 mijë, ndërsa 212 pacientë kanë humbur jetën dhe rreth 5 mijë të tjerë janë shëruar.

  • Comments

0 Comments:

Scroll to Top