MC Networking

Masat/ Kosova kërkon testin e COVID-it në kufi, ndryshe çdo qytetar duhet të karantinohet

Ashtu siç ishte paralajmëruar Kosova ka miratuar sot vendimet për masat shtrënguese në kufi për shkak të përhapjes në mënyrë tepër të shpejtë të koronavirusit në vend. Në këto vendime ka ndikim edhe për Shqipërinë, pasi është vendosur që çdo shtetas që kërkon të hyjë në territorin e Kosovës duhet të ketë një test RT-PCR me vete ku tregohet se është negativ ose në të kundërt do të duhet të vetëkarantinohet për shtatë ditë.

Në pikën doganorë të Morinës çdokush duhet të ketë dëshminë me vete se është negativ, në të kundërt do ti nënshtrohet masës tjetër. Gjithashtu Kosova sqaron se për ata persona që janë me leje të përkohshme apo të përhershme në territorin e saj dhe duan të hyjnë nëpërmjet pikës doganore, duhet gjithashtu të kenë bërë këtë test brenda 72 orëve të fundit që nga momenti i paraqitjes në kufi.

VENDIMI NGA QEVERIA E KOSOVES

Të gjithë qytetarët e Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut, Malit të Zi, Serbisë dhe Bosnjës dhe Hercegovinës, të cilët hyjnë në territorin e Republikës së Kosovës (RKS) duhet të dëshmojnë se janë të shëndoshë nga COVID-19, me testin RT-PCR në Sars COV-2, sipas parimit të reciprocitetit, me përjashtimet si në vijim:

Gjatë hyrjes nëpërmjet Aeroportit Ndërkombëtar “Adem Jashari” nuk ka nevojë të kenë vërtetim për test negativ RT-PCR, duke marrë parasysh që shtetasi i huaj vetëm do të kalojë nëpër territorin e RKS-së, dhe me kusht që në hyrje do të nënshkruajë një deklaratë që në afat prej 3 orësh do ta lëshojë territorin e RKS-së;

Gjatë hyrjes në pikat kufitare tokësore, me qëllim të daljes nëpër pikat ajrore nga Aeroporti Ndërkombëtar “Adem Jashari”, nuk ka nevojë të kenë vërtetim për test RT- PCR, porse, shtetasit e huaj janë të obliguar të paraqesin biletën e aeroplanit dhe të nënshkruajnë deklaratën se brenda 3 orësh do ta lëshojnë territorin e RKS-së;

Transportuesit profesionistë (vozitësit) nuk është e nevojshme të kenë vërtetim për testin PCR, me kusht që respektohet protokolli për transport ndërkombëtar;

Për transport të organizuar me autobus ose linjë të rregullt ndërkombëtare transite nuk nevojitet testi RT-PCR, me kusht që të nënshkruhet deklarata se do ta lëshojnë territorin e RKS-së brenda 5 orësh;

Shtetasit e Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut, Malit të Zi, Serbisë dhe Bosnjës dhe Hercegovinës, të cilët e kanë të rregulluar lejeqëndrimin e përkohshëm ose të përhershëm në RKS, gjatë hyrjes në RKS duhet të paraqesin vërtetim për test RT-PCR negativ, të bërë 72 orë para hyrjes në RKS;

Diplomatët e huaj nga shtetet e cekura në këtë vendim, të cilët janë të akredituar në RKS, sikurse familjarët e tyre, nuk është e nevojshme të kenë vërtetim për test RT-PCR;

Shtetasit e Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut, Malit të Zi, Serbisë dhe Bosnjës dhe Hercegovinës, të cilët kanë caktuar termin për mjekim në institucionet shëndetësore të RKS-së, mund të hyjnë, me kusht që të paraqesin vërtetimin për test TR-PCR negativ, të bërë 72 orë para hyrjes në RKS dhe vërtetimin për termin të caktuar të lëshuar nga spitali;

Bartësit e dokumenteve personale të lëshuara nga RKS, mirëpo me adresë vendbanimi në njërin nga shtetet e cekura në këtë vendim, gjatë hyrjes në RKS, duhet të paraqesin vërtetim për test RT-PCR negativ, të bërë 72 orë para hyrjes në RKS.

  • Comments

0 Comments:

Scroll to Top