MC Networking

Rakipi: Rama në Kosovë po përpiqet të bëjë si faktor i rëndësishëm, por nuk ka asnjë fuqi

Analisti dhe gazetari Ylli Rakipi e sheh si të qëllimshme ngritjen e akuzave ndaj presidentit të Kosovës Hashim Thaçi, pikërisht në prag të një takimi të rëndësishëm si ai që ishte parashikuar për më 27 qershor në Shtëpinë e Bardhë. Në studion e emisionit “Në fokus”, në TvT, Rakipi tha se ngritja e aktakuzës ndaj Thaçit dhe Veselit ishte veprim tërësisht politik.

“Ka vepruar si zyrë politike, për t’i dalë përpara dhe për të bllokuar një takim. Takimi u anulua. Të bën përshtypje fakti që disa orë para se të dilte vendimi, presidenti Vuçiç që qe takuar me Putin tha se do të presim sepse në orët e ardhshme se do të ketë zhvillime të rëndësishme. Pra rusët e dinin çfarë do të ndodhte. Pra duket një vendim i kompromentuar. I bërë për qëllime të caktuara. Ka interpretime të ndryshme. Daniel Server i shtroi një pyetje të thjeshtë përgatitësit të takimit, Grenell, që s’ka mundësi që ti të mos e dije çfarë bëri prokurori amerikan i emëruar nga Donald Trump. Kemi të bëjmë me një veprim të thjeshtë: u ndalua një takim në SHBA, ku thuhej se do të merreshin vendime të rëndësishme. Është i qëllimtë. Prokurori u shpreh se po i dilte përpara një takimi. Insistimi i këtij prokurori është i paprecedentë. Është një kompromentim mjaft i madh i kësaj gjykate. Është një veprim totalisht politik”, tha ai.

Rakipi tha se lidershipi që gjendet sot nën akuzë e ka përfaqësuar Kosovën për 20 vjet në arenën ndërkombëtare, në takime të nivelit të lartë.  

Lufta e Kosovës ndodhi 20 vjet më parë. Për 20 vjet, ky lidership ka takuar perëndimorët. Pyetja e thjeshtë është: këta perëndimorë për 20 vjet rresht si paskan takuar kriminelë lufte. Kuptohet se kjo është stisje e madhe sepse ata i kanë takuar këta njerëz që sot dilkan kriminelë lufte kundër shtetit që kreu genocidin më barbar të viteve të fundit. Srebrenica është rasti më unikal i këtij shkatërrimi. Edhe presidenti Klinton ndërmori nismën pasi kishte lexuar një analist të njohur që shkruante se ky genocid i Millosheviçit do të zhvendosej në Kosovë”, tha ai.

Ndërsa vizitën e kryeministrit Rama në Kosovë në një moment të tillë, Rakipi e sheh si përpjekje për t’u paraqitur si faktor i rëndësishëm, një potencial që ai nuk e ka.

Kosova është një vend i pavarur. Përpjekja e Edi Ramës për të bërë si faktor i rëndësishëm. Rama ishte garanti i raportit që kishte ndërtuar Grenelli. Ramës i ka rënë një kredibilitet që mendonte se e kishte të madh. Kishte një mbështetje në këtë pikëpamje. Edi Rama të qeverisë shqiptarët, të mos marrë patronatin e Kosovës. Është mirë të merret me vendin tonë dhe ta lërë Kosovën në hallet e veta. Edi Rama vetëm sfilon, se nuk ka fuqi”, tha ai.  

 

  • Comments

0 Comments:

Scroll to Top