MC Networking

SPECIALE/ Teatri Kombëtar, historia e një rezistence (VIDEO)

17 maji i vitit 1945 shënon hapjen e dyerve të Teatrit Kombëtar në Shqipëri. 75 vjet më vonë, pikërisht në të njëjtën datë, në 17 maj 2020, kjo godinë historike, ku lindën shumë institucione kulturore u shemb.

Por historia e kësaj godine është më e hershme ndërsa konflikti për shembjen e saj është një debat 20 vjeçar.

Nga shumë persona është thënë se godina historike e vendosur në zemër të qytetit dhe e ndërtuar nga italianët ishte e vetmja godinë futuriste e inxhinierit dhe arkitektit italian, Giulio Berté, projekt i nisur që në fillim të janarit të viti 1938 dhe që përfundoi në shtator të vitit 1939.

HISTORIKU, NDËRTIMI DHE FUNKSIONI I GODINËS

Arkitekti Artan Raça, në një shkrim të tijin në vitin 2018 vëren se “kjo ndërtesë është nga më modernet e gjithë trashëgimisë italiane në Tiranë”. Ai nënvizon se godina e Teatrit Kombëtar nuk arrin të jetë një vepër futuriste dhe kjo lloj arkitekture nuk arriti të materializojë asnjë vepër të tillë edhe nga vetë hartuesi i manifestit të arkitekturës futuriste Antonio Sant’Elia, porse idetë e proklamuara prej tij patën më shumë rëndësi dhe ndikim në Europë se vetë lëvizja Futuriste. Sipas Raçës “nëse autori i saj është Giulio Bertè, influenca e këtyre ideve te kjo vepër është tejet më e ndjeshme se te të gjitha veprat e bashkëkohësve të vet në Tiranë.” Ai thekson se “ndërtesa e kishte kaluar provën e kohës, ndaj duhej të ruhej dhe të restaurohej”.

Nga kjo godinë u ngjizën institucionet më të rëndësishme të kulturës dhe artit: Teatri Kombëtar i Operës dhe Baleti, Lidhja e Shkrimtarëve dhe Artistëve etj. Në periudhën e diktaturës, godina u restaurua dhe nga “Teatër i shtetit” u emërua në “Teatër Popullor shqiptar”. 

Urbanizimi i Shqipërisë gjatë periudhës mes dy luftërave botërore u udhëhoq prej italianëve. Rreth viteve 1928 krijohet Zyra për Ndërtim dhe Planifikim Urban të Shqipërisë në Tiranë, drejtues i së cilës në vitet 1930 –‘35 rezulton të jetë Giulio Berté. Pas përfundimit të kompleksit të ministrive nga arkitekti Florestano Di Fausto, Berté-së do t’i besohej plani rregullues i qendrës së Tiranës. Po në ato vite, ai do të projektonte vilën e kryetarit të bashkisë së kohës, Abedin Nepravishta, godinë, e cila për fat të mirë vijon të ekzistojë edhe sot te Rruga e Kavajës. Më vonë, ai do të punonte edhe për Vilën Mbretërore (Pallati i Brigadave), ndërsa në vitin 1938 do të projektonte godinën e Rrethit Italo-shqiptar “Scanderbeg”, qendër kulturore, artistike, sportive dhe argëtuese, punime të realizuara nga firma “Pater”, që më vonë u shndërrua në godinën e Teatrit Kombëtar.

Në një shkrim të tijin në vitin 2018, studiuesi i artit, Rubens Shima vëren se “Përpjekja për ta paraqitur godinën si një objekt arkitektonik të pavlerë, ka për synim vetëm shkatërrimin e paralajmëruar të saj”.

Duke cituar gazetën “Fashizmi” të datës 31 Maj 1939 – Vjeti XVII me titull: “Rrethi “Scanderbeg”- Ngrehinë e madhe kulturore, artistike dhe argtimore” – jepet një përshkrim i plotë i hapësirës që zë godina e përfunduar dhe sallat e saj.

Sipas këtij artikulli, rrethi “Scanderbeg” që është ndërtuar në qendrën kryesore të Tiranës: në rrethin e Sheshit të Ministrive, përfshin një vend prej trembëdhjetë mijë metrash katrorë, nga të cilat shtatë mijë metra katrorë, janë të mbuluara nga ndërtesa.

Ndërsa jepet ky përshkrim i brendshëm i ndërtesës: “Vizitori hyn në një hajat të madh e të gjanë që bashkon të dy degët e mëdhaja të ndërtesës, nga të cilat njana asht e destinueme për theatër, sallë e madhe që do mundë të përfshijë në rreth të vet, në komoditet të plotë, një sasi publiku prej tetëqind vetësh, ndërsa tjetra asht një varg sallash të mëdhaja, që vijnë njana mas tjetrës, në rend të përkryem artistik dhe që janë të destinueme: nji për pritje, nji për Biblotheke, nji për lojë, nji për restorant, nji për zyrë…Përbri të dy godinavet të mëdhaja asht ngrehun, mandej, Palestra e Gjimnastikës …. Mbas saja vjen salla e Tenisit, nji nga të cilat do të jetë e mbulueme, në fund asht pishina …”

Pjesa më e rëndësishme e aktivitetit të saj ka qenë dokumentimi, studimi dhe përhapja e prodhimit kulturor dhe artistik të kohës, nëpërmjet Bibliotekës, Zyrës së Informacionit, Zyrës së përkthimit letrar etj.

Studiuesi Shima nga ana e tij thekson se “Rrethi Italo-Shqiptar “Scanderbeg”, projektuar nga Giulio Berté nuk ka pasur funksion dopolavoristik”.

 “Ajo çka në terminologjinë fashiste quhet Organizatë e Dopolavoros (Organizata e Mbaspunës) krijuar nga Benito Musolini, u instalua në Shqipëri me krijimin e Partisë Fashiste Shqiptare. Struktura dopolavoristike shqiptare ishte pjesë integrale e aktivitetit të Partisë Fashiste Shqiptare.  Selia qendrore e Veprës Kombëtare e Paspunës do të ndërtohej në vitet e para të pushtimit nga Gherardo Bosio dhe është pikërisht Universiteti i Arteve sot. Gjatë pushtimit italian, godina e Rrethit “Scanderbeg” ka shërbyer për aktivitete kulturore dhe sportive. Pas kapitullimit italian, ndërtesa u transformua në kinema dhe ndërroi emër në “Kinema Kosova”.”

RUBENS SHIMA, Historian, kritik arti

Në vitet e para të komunizmit shërbeu herë si kinema, herë si sallë për gjyqet e kundërshtarëve politikë të regjimit, ndërsa godina tjetër u kthye në bar-kafe të Lidhjes së Shkrimtarëve. Në vitin 1945 ajo u shndërrua në Teatër Popullor e më vonë në Teatrin Kombëtar.

Ndërsa në vitin 2020 kjo ndërtesë u shemb, duke marrë me vete edhe historinë e vet. Ndërtesa e Teatrit, Galerisë, Hotel “Dajtit” dhe ndërtimeve të tjera të viteve 1940 të Gherardo Bosios, përbëjnë trashëgiminë arkitekturore moderniste të Tiranës. Me shkatërrimin e Teatrit Kombëtar u prish pikërisht një ansambël që përbën kujtesën historike të qytetit.

DEBATI

Debatet për shembjen e Teatrit Kombëtar nisin që në vitin 2002, në kohën kur kryebashkiak ishte Edi Rama. Debati u rindez në vitin 2018, kur të gjithë artistët firmosën një peticion në sallën e Akademisë së Arteve kundër shembjes së godinës.

Më pas, artistët u ndanë në dy grupe: pro dhe kundër shembjes.

Pas prezantimit të projektit Bjarken Ingels, artistë dhe dhe përfaqësues të shoqërisë civile krijuan Aleancën për Mbrojtjen e Teatrit për të mbrojtur godinën.  Ndërkohë që u bë me dije se investimi do të ishte një partneritet publik privat, Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit e kundërshtoi fort deri në tërheqje të ndërtimit në këtë mënyrë. Ministria e Kulturës, në atë kohë e drejtuar nga Mirela Kumbaro hartoi një ligj special, me qëllim shembjen dhe ndërtimin me partneritet publik privat.  Ndërsa firma “Fusha” u tërhoq nga ndërtimi i teatrit të ri dhe Bashkia e Tiranës premtoi se teatri do të ndërtohet me para publike.  

Pak ditë më parë me vendim qeverie, teatri i kaloi në pronësi Bashkisë së Tiranës. Këshilli Bashkiak miratoi me e-mail shembjen e godinës dhe në 17 maj, godina u shemb, duke i dhënë fund rezistencës dhe debatit 20 vjeçar për shembjen e saj.

Ndërtesën nuk mundi ta ruante qëndresa e artistëve dhe qytetarëve dhe as fakti që ishte marrë nën mbrojtje nga Europa Nostra, e cila e kishte klasifikuar godinën e Teatrit Kombëtar në listën e shtatë siteve më të rrezikuara të trashëgimisë kulturore në Europë.

Por ndërkohë që kjo godinë u shemb, përfaqësuesit e Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit shprehen se beteja e tyre nuk ka mbaruar.

 “GODINA QË BASHKIA PRISHI, NUK ISHTE PRONË E SAJ”

Ndërkohë, sipas juristit Adriatik Lapaj, Këshilli Bashkiak i Bashkisë së Tiranës ka shembur një godinë që nuk e kishte në pronësi të tij, në rastin e Teatrit Kombëtar. Referuar Vendimit të Këshillit të Ministrave, sipas të cilit është bërë kalimi i truallit dhe godinës së teatrit nga qeveria tek Bashkia e Tiranës, në pronësi të kësaj të fundit ka kaluar i gjithë trualli i Teatrit Kombëtar, por jo e gjithë godina. Ndërsa Bashkia e Tiranës ka marrë në pronësi të saj vetëm Godinën e Teatrit Eksperimental dhe jo atë të Teatrit Kombëtar, ndaj ky fakt sipas tij do të thotë që këshilli ka vendosur për shembjen e një objekti që nuk e ka patur në pronësi.

Ndërkohë, artistët dhe aktivistët e Aleancës mendojnë se shembja e teatrit dhe rezistenca e tyre kanë zgjuar ndërgjegjen e shumë shqiptarëve dhe ata do të vijojnë të protestojnë, duke u riorganizuar në një formacion edhe më të gjerë qytetar.

Ndërkohë që mosreagimi i Ambasadës Amerikane, pas prishjes së Teatrit dhe dhunës të ushtruar nga Policia kundër aktivistëve, artistëve dhe gazetarëve, ka zgjuar pakënaqësi në një pjesë të madhe njerëzish, së fundi edhe Ambasada Amerikane e ka cilësuar protestën e Teatrit Kombëtar si civile dhe jo politike, siç bënte në një komunikatë para disa ditësh. Për këtë ndryshim qëndrimi të Ambasadës mbase ka ndikuar edhe fakti se krerët e Aleancës nuk kanë lejuar eksponentë politikë të ngjiteshin në tribunë.

Për një pjesë të madhe njerëzish shembja e teatrit la pas një boshllëk të madh dhe ajo çfarë mbeti pas është thjesht një histori rezistence. Por, tashmë ajo çfarë tashmë Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit kërkon të realizojë është ndërtimi i godinës së re të Teatrit, sipas të njëjtit projekt dhe në të njëjtën mënyrë si ka qenë godina e mëparshme. Për këtë arsye aktivistë dhe qytetarë po nënshkruajnë edhe një peticion, ku kërkohet të rindërtohet Teatri Kombëtar atje ku ishte e si ishte. Peticioni i drejtohet Presidentit Ilir Meta, Kryeministrit Edi Rama dhe Kryebashkiakut Erion Veliaj dhe ka mbledhur deri më tani mijëra firmëtarë.

Përveç vlerave arkitektonike dhe shkrirjes në mënyrë të natyrshme në kompleksin ku ishte vendosur, godina e Teatrit Kombëtar mbartte me vete edhe një peshë historike dhe shpirtërore. Në skenën e shembur të Teatrit Kombëtar janë ngjitur mbi 500 premiera nga dramaturgjia kombëtare dhe ndërkombëtare dhe mbi të kanë interpretuar emra aktorësh të njohur për publikun, të cilët i kanë dhënë godinës dhe hapësirës përreth një vlerë të shtuar.

E vërteta është se pavarësisht sesi u përvijua historia e teatrit dhe pavarësisht shembjes së tij, protestat e organizuara në sheshin e Teatrit Kombëtar ishin një dëshmi e shpirtit të qytetarisë dhe rezistencës për të penguar pushtetin për të vjedhur truallin publik dhe lirinë qytetare. Kjo protestë ishte një shembull se si mund të ngrihen dhe mbahen në këmbë kauza të drejta, ndërkohë që dëshmoi edhe për një fakt tjetër: që njerëzit duhet të jenë më reagues, për të mos mbetur thjesht tifozë të përjetshëm dhe të marrin në dorën fatin e tyre, për të ruajtur identitetin dhe dinjitetin e nëpërkëmbur.

Përgatiti: Blerina Goce

 

 

  • Comments

0 Comments:

Scroll to Top