MC Networking

Covid-19/ Pse në Itali ka kaq shumë viktima? Disa shpjegime matematikore

Pse Italia ka një numër kaq të lartë vdekjesh? As shkencëtarët më të mirë nuk e kanë një përgjigje. Përgjigje mund të kenë disa, por të gjitha janë hipotetike dhe nuk mund të sqarojnë plotësisht se pse Italia mban rekordin botëror të vdekjeve nga koronavirusi: 10% të totalit të të infektuarve në Itali vdes, ndërsa në pjesën tjetër të botës përqindja është pak më e lartë se 4% (18 mijë vdekje në 423 mijë raste), në Gjermani i njëjti numër të infektuarish ka vdekshmëri 0,5%, ndërsa në Shtetet e Bashkuara, përqindja mbetet e palëvizshme në 2%, dhe në Francë mbetet në 5%.

Çfarë nuk ka funksionuar në Itali, si mund të shpjegohet ky numër kaq i lartë vdekjesh? Shpjegimi më i besueshëm, i përmendur nga Graziano Onder, në revistën prestigjioze ndërkombëtare “Jama”, është se numri i vdekjeve në Itali është mbivlerësuar, në të paktën dy aspekte. Nga njëra anë, studiuesi i Institutit të Lartë të Shëndetit përmend se metodat e llogaritjes që zbatohen në Itali janë të ndryshme nga ato të vendeve të tjera të botës, "vdekjet me koronavirus dhe jo me koronavirus", me pak fjalë, një zell i tepruar në kujdesin shëndetësor vendas, i cili ka vënë në llogari vdekjet nga sëmundje të tjera; nga ana tjetër, shumë kolegë të tij pranojnë se spektri i epidemisë në Itali mund të jetë shumë më i gjerë, dhe se qindra mijëra të infektuar, pa bërë testin e tamponit, as nuk janë monitoruar dhe kanë bërë që niveli i vdekjeve të rritet: nëse në Itali do të ishin bërë më shumë tampona, atëherë ndoshta numri i vdekjeve do të ishte shumë më i ulët.

A e zbuloi vonë Italia mbërritjen e virusit? Në studimin e tij, Onder rindërton historinë e virusit në Itali. Ai thotë se virusi me siguri ka "shëtitur" në Itali që nga janari, pa u vënë re nga askush. Më pas, ai rendit shpjegimet e mundshme të primatit italian: mosha e lartë mesatare e popullsisë italiane (23% e njerëzve janë mbi 65 vjeç), edhe pse të dhënat krahasuar me Kinën lënë pas një mister të madh. Në moshat midis 60 dhe 69 vjeç, si Italia ashtu edhe Kina, në periudha të ngjashme të evolucionit të epidemisë, kishin të njëjtën shkallë vdekshmërie, 3.5%. Ajo që mbetet e pashpjegueshme është pse shkalla e vdekshmërisë rritet në Itali për moshat nga 70 vjeç e lart, krahasuar kjo me Kinën, 13% kundrejt 8% deri në 70 vjet, 20% kundrejt 14% mbi 80 vjeç. Kinezët e moshuar duket se reaguan më mirë ndaj trajtimeve. A ishin ata më të shëndetshëm? Pyetja mbetet pa përgjigje.

A është e ndryshme nga vendet e tjera mënyra sesi llogarisin italianët në këtë rast? Hipoteza e dytë është metoda e llogaritjes, e cila regjistron si të vdekur nga virusi edhe rastet e pacientëve shumë të moshuar me një, dy ose tre sëmundje të mëparshme serioze. Duke qenë se nuk është sanksionuar asnjëherë në një protokoll ndërkombëtar, metoda në fjalë ka sjellë si rezultat mbivlerësimin e vdekjeve nga Covid-19: një rishikim i të gjitha kartelave klinike ka nisur ndërkohë në Institutin e Lartë të Shëndetit. Por, edhe rregulli i ri i zbatuar nga 25 shkurti nga Ministria e Shëndetësisë, që të testohen vetëm njerëzit me simptoma, ka çuar në një rritje të kurbës: bëhen më pak tamponë, emëruesi ulet dhe shkalla e vdekshmërisë rritet menjëherë. Nga 3.1% në 24 shkurt, ajo shkoi në 7.2% në 17 mars, deri në 10% sot (25 mars). / Corriere.it / Përgatiti: Gazmira Sokoli / 

  • Comments

0 Comments:

Scroll to Top