MC Networking

Gazetari Tomorri për TvT: Ligjet tatimore bëhen për të përfituar një grusht biznesesh (VIDEO)

Gazetari Klodian Tomorri analizoi në studion e lajmeve të TvT situatën e punëtorëve të nënstacionit elektrik të Poçemit, të cilët janë futur në grevë urie, pasi nuk paguhen prej 27 muajsh si edhe përplasjen e naftëtarëve të Bylis Energy me deputetët socialistë në Fier për çështjen e pagave të pamarra pak ditë më parë. Për Tomorrin, rastet shkojnë sipas modelit të keq që ka krijuar privatizimi problematik i ARMO-s në vitin 2009.

Qeveria nuk mund të lajë duart dhe të thotë që kjo është një marrëveshje mes dy kompanive apo mes kompanisë dhe punonjësve. Ka ligje që e rregullojnë këtë marrëdhënie. Ka edhe ligj për falimentin. Problemi kryesor është privatizimi i bërë keq i ARMO-s në 2009. Me të po ndodh ai film që përsëritet prej vitesh. Kompani që e marrin në shfrytëzim, nuk paguajnë taksa as punëtorë, largohen dhe rikthehen në forma të tjera. Ka zëra që thonë se kompania i ka shtetit 600 milionë euro taksa të papaguara. Nuk ka një zgjidhje e cila do t’i kënaqte të gjitha palët, por duke parë që në vijimësi rafineria po shkakton kaq probleme, atëherë duhet menduar për zgjidhje ekstreme, pse jo edhe marrjen në pronësi publike ose shpalljen e falimentit. Është kthyer në një aset toksik”, tha ai.

Sa u takon ndryshimeve ligjore që prekin tatimet, Tomorri tha se për shkak të mënyrës dhe qëllimit për të cilin ato bëhen, është krijuar pasiguri të biznesi vendas dhe investitorët e huaj.

Ne kemi qenë dëshmitarë që ligjet tatimore ndryshohen. Janë ligje që bëhen për të përfituar një grusht biznesesh. Në këto kushte bizneset nuk janë të qarta, aq më pak investitorët e huaj. Ligji në Shqipëri nuk funksionon, gara nuk respektohet”, tha ai.

Lidhur me investimet e huaja, Tomorri parashikon një rënie të ndjeshme që do të reflektohet menjëherë në ekonominë e vendit.

Parashikimet janë për rënie të investimeve të huaja. Kanë përfunduar Gazsjellësi Transadriatik dhe Kaskada e Devollit, mbi 2 miliard euro, kanë përfunduar, krijohet vakum. Ngadalësohet rritja ekonomike”, tha ai.  

  • Comments

0 Comments:

Scroll to Top