MC Networking

Prokuroria nis verifikimet për kryebashkiakun e Mallakastrës

Sektori i Dekriminalizimit në Prokurorinë e Përgjithshme ka nisur verifikimin për gjurmët e gishtave të kreut të Bashkisë së Mallakastrës, Qerim Ismailajt.

Kërkesa drejtuar kryebashkiakut nga organi i akuzës vjen vetëm pak ditë pasi Partia Demokratike njoftoi se disponon fakte që provojnë se Ismailaj është dënuar nga gjykata greke, një dënim që nuk është deklaruar në formularin e dekriminalizimit.

Në emër të selisë blu, sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, publikoi një dokument, në të cilin kryebashkiaku i Mallakastrës rezulton se është dënuar në Greqi me 3 vjet burg, për kryerjen e veprimeve të dhunshme, plagosje (rrahje).

Dënimi është dhënë nga Gjykata e Shkallës së Parë në Athinë dhe mban datën 25 shkurt 2000.

Rasti i Ismailajt e çoi në katër numrin e kryebashkiakëve të PS-së që opozita ka denoncuar që prej zgjedhjeve vendore të 30 qershorit.

Zinxhiri i këtyre denoncimeve nisi me Valdrin Pjetrin e Shkodrës, i cili u largua nga drejtimi i kësaj bashkie ende pa marrë zyrtarisht detyrën, vijoi me Agim Kajmakun e Vorës dhe më pas me Mark Babanin e Vaut të Dejës.

  • Comments

0 Comments:

Scroll to Top